Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit institucionale në vend, duke e cilësuar natën e kaluar si një moment që mund të shënojë një kthesë për shtetin e Kosovës dhe ish-udhëheqësit e UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Përmes një reagimi, Hamza ka kërkuar një angazhim më të madh të institucioneve të Kosovës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe personave të tjerë që po përballen me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas tij, mbështetja ndaj tyre nuk duhet të mbetet vetëm përgjegjësi e individëve, familjeve dhe ekipeve mbrojtëse, por duhet të jetë edhe pjesë e angazhimit institucional të shtetit.
Hamza ka falënderuar qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e diasporës që kanë marrë pjesë në protestat dhe aktivitetet mbështetëse për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Ai ka përmendur gjithashtu disa zhvillime institucionale që, sipas tij, krijojnë bazë për një angazhim të përbashkët, përfshirë Deklaratën e Përbashkët në Kuvend, ligjin për mbrojtjen e UÇK-së dhe zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës.
Kryetari i PDK-së ka theksuar se beteja për drejtësi duhet të vazhdojë dhe se institucionet e Kosovës duhet të jenë më aktive në këtë proces.
“Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm”, ka shkruar Hamza.
Reagimi i tij vjen pas zhvillimeve të fundit politike dhe institucionale në Kosovë, në një kohë kur proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë të jenë ndër çështjet më të ndjeshme në diskursin politik dhe shoqëror në vend.
Postimi i Hamzës:
Nata e mbrëmshme ishte një natë e gjatë për Republikën e Kosovës. Por dua të besoj se do të jetë edhe një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin tonë dhe, bashkë me shtetin e me Presidenten e re, edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së, në betejën tonë të përbashkët për drejtësinë, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare.
Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë.
Në emër të PDK-së, i falënderoj të gjithë qytetarët që protestuan pa u ndalur në kryeqytet, në shumicën e qyteteve të Kosovës dhe në diasporë, duke u bërë zëri i tyre dhe pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi.
Qytetarëve tanë dhe brezave që vijnë u duhet një Kosovë që nuk harron, një shtet që nuk dorëzohet dhe një shoqëri që e mbron të vërtetën e saj. Atyre u duhet një Kosovë që nuk lejon që sakrifica dhe lufta për liri të zbehen nga harresa apo të shtrembërohen nga paragjykimet.
Tani kemi një Deklaratë të Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, një ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe kemi Presidenten e zgjedhur. Prandaj, pa përjashtim, presim koordinimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithëve për këtë kauzë kombëtare. UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete.
Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm.
Duhet të jemi të gjithë bashkë! /BS









