Në Cyrih do të përurohet vepra poetike “Katërstinori – Kalendar shpirtëror” e poetit Tonin Nikolli, një krijim letrar që sjell në vargje natyrën, kujtesën, vendlindjen, mërgimin dhe përjetimet njerëzore.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, organizon përurimin e veprës poetike “Katërstinori – Kalendar shpirtëror” të poetit Tonin Nikolli.
Vepra është ndërtuar në katër cikle poetike: Pranverori, Verori, Vjeshtori dhe Dimërori, përmes të cilave autori ndërton një udhëtim letrar nëpër stinët e natyrës, por edhe nëpër stinët e shpirtit njerëzor.
“Katërstinori” sjell një ndërthurje të veçantë mes përvojës personale dhe asaj universale. Në vargjet e poetit zënë vend vendlindja dhe kujtesa, mërgimi dhe dashuria, por edhe ndjenja e kalimit të kohës dhe përjetimet që shoqërojnë njeriun përgjatë jetës.
Përmes katër cikleve, Tonin Nikolli e trajton ndryshimin e stinëve jo vetëm si një proces të natyrës, por edhe si metaforë të ndryshimeve, kujtimeve dhe gjendjeve shpirtërore të njeriut.
Përurimi i kësaj vepre pritet të mbledhë në një vend krijues, dashamirës të letërsisë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke krijuar një tjetër mundësi për promovimin e krijimtarisë letrare shqiptare në diasporë.
Përurimi do të mbahet më 11 tetor 2026, nga ora 18:00, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, në adresën Eugen-Huberstrasse 19a, 8048 Zürich.
Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë artdashësve dhe bashkatdhetarëve që të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje kushtuar poezisë dhe krijimtarisë shqiptare. Mirë se vini!, njofton Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Cyrih, përcjell half24.ch.









