HomeDiasporaShqipëria feston Festën Kombëtare në Vatikan, në prani të zyrtarëve të lartë...

Shqipëria feston Festën Kombëtare në Vatikan, në prani të zyrtarëve të lartë të Selisë së Shenjtë

-

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë. Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta të Vatikanit, përfaqësuesve diplomatikë dhe miqve të Shqipërisë, u kremtua Festa Kombëtare, duke vënë në pah historinë, identitetin dhe vlerat që karakterizojnë kombin shqiptar. Në këtë ceremoni të veçantë ishin të pranishëm Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, si dhe Kardinali shqiptar Ernest Simoni, i cili përcolli një mesazh të fuqishëm mbi besimin, shpresën dhe të ardhmen. Në fjalën e tij, Kardinali Simoni theksoi rëndësinë e besimit si burim drite dhe shprese për njeriun, duke rikujtuar se jeta dhe vlerat shpirtërore janë më të qëndrueshme se çdo gjë materiale dhe kalimtare.

Nga ana tjetër, ministri Ferit Hoxha vuri në pah një prej vlerave më të çmuara të shoqërisë shqiptare: harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare. Ai theksoi se respekti ndërmjet besimeve në Shqipëri nuk është thjesht një parim i deklaruar, por një traditë e rrënjosur thellë në jetën e përditshme dhe në kulturën e popullit shqiptar.

Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, duke theksuar se të dyja palët ndajnë angazhimin për dinjitetin njerëzor, dialogun, paqen dhe zhvillimin. Në një kohë të karakterizuar nga konflikte dhe pasiguri ndërkombëtare, ai e cilësoi diplomacinë dhe përpjekjet për paqe si një domosdoshmëri. Një moment tjetër me rëndësi i kësaj ceremonie ishte shënimi i 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Me këtë rast u prezantua një pullë postare e përbashkët, e emetuar posaçërisht për këtë përvjetor.

Pulla postare simbolizon miqësinë, respektin e ndërsjellë dhe lidhjet që ndër vite kanë forcuar marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Vatikanit. Kjo pritje përtej dimensionit ceremonial përfaqësoi një moment të rëndësishëm të afirmimit të identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke sjellë në vëmendje harmoninë ndërfetare, traditën e dialogut dhe kontributin e Shqipërisë në promovimin e paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kryetari Ali Ahmeti sërish në Zvicër për 28 Nëntorin!

0
Gjatë këtyre ditëve, kryetari Ali Ahmeti do të qëndrojë në mesin e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër, aty ku për vite me radhë ka ndarë...