Gjeneralmajor Enver Cikaqi pritet të jetë komandanti i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke pasuar në këtë detyrë gjeneralin Bashkim Jashari. Sipas burimeve të RTK-së, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tashmë ka përcjellë në Zyrën e Kryeministrit emrin e gjeneralmajorit Cikaqi për t’u emëruar në krye të FSK-së. Ndërkohë, dorëzim-pranimi i detyrës së komandantit të FSK-së pritet të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, duke shënuar kështu një ndryshim të rëndësishëm në udhëheqjen e institucionit të sigurisë.
Enver Cikaqi është një nga figurat me përvojën më të gjatë në strukturat udhëheqëse të FSK-së. Ai është pjesë e lidershipit të lartë të kësaj force që nga themelimi i saj, ndërsa për më shumë se tetë vjet ka shërbyer si zëvendëskomandant i FSK-së.
Përvoja e gjatë në udhëheqjen ushtarake dhe grada e gjeneralmajorit e bëjnë Cikaqin një kandidat që përmbush kriteret ligjore për marrjen e kësaj përgjegjësie.
Sipas nenit 21 të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kandidati për komandant duhet të ketë mbajtur gradën e gjeneralmajorit për së paku 12 muaj. Cikaqi këtë gradë e mban prej më shumë se shtatë vjetësh, duke e tejkaluar ndjeshëm afatin minimal të përcaktuar me ligj.
Emërimi i tij pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të udhëheqjes së FSK-së, në një periudhë kur forcimi i kapaciteteve profesionale, modernizimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i saj mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit, transmeton rtk.









