Bashkimi Evropian ka kërkuar nga institucionet e Kosovës zbatim më të shpejtë të reformave në administratën publike dhe menaxhimin e financave publike. Në fokus janë profesionalizimi i shërbimit civil, rekrutimi mbi bazën e meritës, ulja e numrit të ushtruesve të detyrës dhe përfundimi i reformës së pagave. Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të përshpejtojë zbatimin e reformave në administratën publike dhe menaxhimin e financave publike, duke theksuar se vendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të një administrate më profesionale, efikase dhe të bazuar në meritë. Kërkesat e BE-së u prezantuan të martën në Prishtinë, gjatë takimit të 14-të të Grupit të Veçantë BE-Kosovë për Reformën e Administratës Publike, i bashkëkryesuar nga ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, dhe shefi i Njësisë së Komisionit Evropian për Kosovën, Jiří Plecitý.
Sipas komunikatës së përbashkët të Komisionit Evropian dhe ministrisë përkatëse, përshpejtimi i reformave është kërkuar në përputhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, si dhe zotimet e vendit në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së dhe Agjendës së Reformave.
BE-ja kërkon rekrutim mbi bazën e meritës dhe përfundimin e reformës së pagave
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë vlerësuar përparimin e Kosovës në reformimin e kornizës ligjore për shërbimin publik, por kanë theksuar se ende ekzistojnë sfida që kërkojnë trajtim të mëtejshëm.
Në veçanti, BE-ja ka kërkuar që Kosova të shfrytëzojë plotësisht sistemin e centralizuar të rekrutimit për plotësimin e vendeve të lira të punës në administratën publike.
Po ashtu, është kërkuar ulja e mëtejshme e numrit të ushtruesve të detyrës në pozitat drejtuese dhe përfundimi i të gjithë hapave të nevojshëm për zbatimin e plotë të reformës së pagave.
Sistemi i centralizuar i rekrutimit, i vendosur në fillim të këtij viti, është vlerësuar si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një shërbimi publik profesional dhe të bazuar në meritë. Megjithatë, sipas BE-së, zbatimi i tij duhet të vazhdojë dhe të përfundojë në praktikë.
Vlerësohet digjitalizimi dhe themelimi i Gjykatës Administrative
Përveç reformave në administratën publike, në takim është vlerësuar edhe përparimi i Kosovës në agjendën digjitale, strategjinë e qeverisjes elektronike dhe programin për zvogëlimin e barrës administrative.
Një vlerësim i veçantë i është kushtuar edhe themelimit të Gjykatës Administrative në Prishtinë. Sipas përfaqësuesve të BE-së, ky institucion mund të luajë rol të rëndësishëm në zvogëlimin e vonesave në trajtimin e lëndëve administrative, me kusht që të sigurohet numri i nevojshëm i stafit.
Ndërkohë, ministri Lulëzon Jagxhiu ka prezantuar progresin e Kosovës në këtë fushë, duke përmendur rekrutimin e centralizuar, racionalizimin e agjencive, reduktimin e barrës administrative dhe zgjerimin e shërbimeve publike digjitale.
Ai ka veçuar gjithashtu themelimin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike si një mekanizëm më të fuqishëm institucional për koordinimin e reformave.
Në këtë drejtim, Jagxhiu ka përmendur edhe lansimin e Platformës Kombëtare të Identifikimit Elektronik dhe Portofolit Digjital.
Barazia gjinore dhe menaxhimi i burimeve njerëzore
Gjatë takimit është prezantuar edhe Raporti Vjetor për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Kosovë, i publikuar në tetor të vitit 2026.
Sipas komunikatës, ministri Jagxhiu ka theksuar se përfaqësimi i barabartë i grave në administratën publike pothuajse është arritur, ndërsa është zotuar për ngushtimin e hendekut të mbetur sa i përket barazisë gjinore në pozitat drejtuese.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Kosova ka filluar të zvogëlojë përqindjen e lartë të ushtruesve të detyrës në pozitat menaxheriale.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është ndërlidhja teknike e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore me Sistemin e Menaxhimit të Pagave të Thesarit. Ky integrim pritet të përmirësojë saktësinë e të dhënave, të reduktojë procedurat manuale dhe të forcojë menaxhimin e personelit në sektorin publik.
Kosova dhe BE-ja pajtohen për vazhdimin e reformave
Në përfundim të takimit të 14-të të Grupit të Veçantë për Reformën e Administratës Publike, Kosova dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë, përfshirë edhe në nivel teknik, me synimin për të përshpejtuar zbatimin e reformave.
BE-ja ka theksuar se një administratë publike profesionale, transparente dhe efikase është thelbësore për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian. Zbatimi i këtyre reformave mbetet një nga sfidat kryesore për institucionet e Kosovës, veçanërisht në drejtim të depolitizimit të administratës, meritokracisë në punësim dhe krijimit të një sistemi më të qëndrueshëm të menaxhimit të financave publike, transmeton rtk.









