Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, theksoi lidhjet historike dhe vëllazërore ndërmjet dy vendeve, duke i cilësuar marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri si strategjike për kombin shqiptar dhe sigurinë në Evropën Juglindore. Ai bëri të ditur se mes dy shteteve janë nënshkruar dhe po zbatohen gjithsej 190 marrëveshje bashkëpunimi. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përcjellë një mesazh të fortë për unitetin kombëtar dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjatë pritjes solemne të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se Republika e Kosovës është shtet më vete, por mbetet e lidhur ngushtë me kombin shqiptar, duke nënvizuar se marrëdhëniet me Shqipërinë kanë qenë dhe mbeten vëllazërore dhe strategjike.
“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar”, deklaroi Kurti, duke shtuar se këto marrëdhënie kanë rëndësi jo vetëm për shqiptarët, por edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore.
Nga Pavarësia e vitit 1912 te shtetësia e Kosovës
Duke rikujtuar historinë e 28 Nëntorit 1912, kur Kuvendi i përfaqësuesve shqiptarë në Vlorë shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, Kurti tha se aspirata për të qenë të lirë dhe të pavarur ka mbetur e pandryshuar përgjatë historisë së kombit shqiptar.
Ai theksoi se, për më shumë se një shekull, shqiptarët janë përballur me pushtime, luftëra dhe regjime shtypëse që ua kanë mohuar lirinë dhe të drejtën për të jetuar të pavarur.
Kreu i Qeverisë së Kosovës rikujtoi gjithashtu gjenocidin e viteve 1998–1999 në Kosovë, çlirimin e vendit në qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Sipas tij, Republika e Kosovës është shtet i shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe i të gjitha komuniteteve të tjera që përbëjnë qytetarinë e saj, ndërsa synimi mbetet ndërtimi i një demokracie funksionale dhe zhvillimi në harmoni me demokracitë përparimtare evropiane dhe botërore.
Kurti ritheksoi se Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se institucionet po ndërmarrin hapat e nevojshëm për realizimin e këtyre objektivave.
190 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy vendeve, kryeministri Kurti bëri të ditur se deri më tani janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Këto marrëveshje përfshijnë fusha të rëndësishme si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë i përjetojnë së bashku zhvillimet politike dhe shoqërore në të dyja vendet, duke e cilësuar këtë lidhje si dëshmi të afërsisë së veçantë ndërmjet dy shteteve.
Në fjalimin e tij, Kurti nuk la pa përmendur as rëndësinë e aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera partnere, të cilat kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kosova, partnere për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare
Kryeministri vlerësoi gjithashtu angazhimin e Kosovës në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke përmendur qëndrimin e saj kundër agresionit rus në Ukrainë dhe pjesëmarrjen në stërvitjet e NATO-s dhe partnerëve të saj.
Ai theksoi se Kosova, ndonëse ende nuk është anëtare e NATO-s, prej katër vitesh radhazi ka përmbushur kriterin e investimeve në siguri në nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Sipas Kurtit, Kosova dhe Shqipëria kanë dëshmuar se janë partnerë të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si në rajon, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
28 Nëntori, themelet e historisë dhe identitetit kombëtar
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Kurti rikujtoi ngjarjet më të rëndësishme që kanë shënuar historinë e kombit shqiptar, duke përmendur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe ngjarjet historike të 28 Nëntorit.
Ai veçoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në Krujë më 1443, si dhe daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e komandantit Adem Jashari në Drenicë.
Sipas tij, këto ngjarje përbëjnë themelet e identitetit dhe të historisë kombëtare, të cilat duhet të shërbejnë si burim krenarie, por edhe përgjegjësie për brezat e ardhshëm.
Në fund, kryeministri Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës, shqiptarët kudo që jetojnë dhe miqtë ndërkombëtarë për Ditën e Flamurit, duke theksuar se 28 Nëntori simbolizon vullnetin e përhershëm të kombit shqiptar për mëvetësi, liri dhe pavarësi, transmeton rtk.









