Nga Arsim Mulliqaj, MILANO
Një ditëlindje ndryshe, e shënuar me kulturë, kujtesë dhe dëshmi për Kosovën
Lugano, 3 tetor 2026- Udhëtimi im me librin, tash e sa kohë, po më hap dritare të reja dhe po më zbulon dritëhije nëpër fusha që më parë nuk i kam njohur. Çdo udhëtim po merr kuptim të veçantë, sepse krahas hapave të mi nëpër vende të ndryshme, me vete po bart edhe një pjesë të historisë së popullit tim. Kjo ditë ishte e veçantë për mua edhe për një arsye tjetër: ditëlindjen time e festova në Milano të Italisë dhe në Lugano të Zvicrës. Ishte një ditë që besoj se do të mbetet gjatë në kujtesën time, jo vetëm si një ditëlindje, por si një ditë e mbushur me takime, kulturë, histori dhe miqësi. Në Lugano arrita në orën 10:58. Sapo zbrita nga treni, mora rrugën drejt Biblioteca cantonale di Lugano. Pranë liqenit piktoresk të Luganos gjeta bibliotekën, ku u paraqita me librin tim “La mia eco per la libertà del Kosovo”, të cilin ia dhurova bibliotekës zvicerane. Qëllimi im ishte i qartë: libri të jetë në dispozicion të lexuesve dhe të shërbejë si një mundësi më shumë për njohjen e historisë dhe vuajtjeve të popullit tim në Kosovë. Në këtë vepër jam përpjekur të sjell dëshminë time për ngjarjet e dhimbshme që kam përjetuar dhe dëshmuar, duke e parë librin edhe si një kujtesë për brezat që vijnë.

Zyrtarja e bibliotekës e priti me interes veprën time dhe me shumë mirësjellje e mirëkuptim e pranoi këtë dhuratë. Për mua, ky ishte një moment me rëndësi të veçantë, sepse një libër që flet për Kosovën dhe për përvojat e saj të dhimbshme po hynte në një hapësirë kulturore zvicerane. Ishte, në njëfarë mënyre, një tjetër urë e vogël e shkëmbimit kulturor.
Por dita nuk përfundoi këtu.

Ajo u pasurua edhe më shumë nga prania e kushëririt tim, Remzi Durmishi, zyrtar shtetëror në Lugano. Me të pata mundësinë të zhvilloj biseda të gjata e të rëndësishme, veçanërisht për çështje kulturore dhe historike. Remziu, si veprimtar dhe aktivist, më rrëfeu shumë gjëra të panjohura për mua, të cilat i dëgjova me vëmendje dhe me bindjen se nuk duhet të harrohen. Historia nuk jeton vetëm në libra; ajo jeton edhe në kujtimet, rrëfimet dhe dëshmitë e njerëzve. Edhe për Remziun kisha përgatitur një kopje të librit tim me dedikim. Por ajo që më gëzoi veçanërisht ishte mënyra se si ai e mirëpriti veprën “La mia eco per la libertà del Kosovo”. Interesimi dhe vlerësimi i tij më mbushën me gëzim dhe më dhanë edhe më shumë forcë për ta vazhduar këtë rrugëtim. Në përmbushje të misionit tim, së bashku me Remziun u drejtuam edhe te prona e zotëriut Behgjet Pacolli në Lugano, ku pata mundësinë t’ia dorëzoj veprën time, “La mia eco per la libertà del Kosovo”, me dedikim, në kujdesin e zyrtarit të Swiss Diamond.

Kështu, një ditë që e kisha planifikuar si një ditë të veçantë, u shndërrua në një ditë madhështore për mua: një ditë me tri punë, tri momente dhe tri dëshmi të një udhe që po vazhdon — libri në bibliotekë, takimi me një njeri të çmuar të familjes dhe veprimtarisë shqiptare, si dhe dorëzimi i veprës te një figurë e njohur shqiptare në Zvicër. Në fund, një falënderim i veçantë shkon për kushëririn tim Remzi Durmishi, i cili një pjesë të ditës së tij ia kushtoi shoqërimit tim dhe këtij misioni kulturor. Prania e tij e bëri këtë ditë edhe më të veçantë. Libri im vazhdon udhëtimin. Nga Kosova drejt Italisë e Zvicrës, ai po bart me vete kujtesën, dëshminë dhe zërin tim për lirinë e Kosovës.
Dhe ndoshta ky është kuptimi më i bukur i këtij udhëtimi: të mos mbetet dëshmia vetëm në kujtesën time, por të gjejë vend edhe në kujtesën e të tjerëve.








